Themeluesi i Programeve të Telemjekësisë në Kosovë dhe Shqipëri Prof. Dr. Rifat Latifi nderohet me Çmimin e Doktorëve të Shquar

“Westchester County Business Journal” nderon mjekun shqiptaro-amerikan për përpjekjet e tij për ta çuar mjekësinë e përparuar në çdo anë të botës

Dr. Rifat Latifi, Drejtor i Departamentit të Kirurgjisë dhe Shef i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Traumës në Rrjetin Shëndetësor të Qendrës Mjekësore në Westchester (WMCHealth) është nderuar edhe njëherë tjetër për punën e tij të jashtëzakonshme.

Ndryshe nga mjekët që udhëtojnë në vende të ndryshme të botës për të ndihmuar me praninë e tyre aty, Dr. Latifi ka gjetur një mënyrë që ndihma në vende jo shumë të zhvilluara të jetë e përhershme duke u siguruar atyre asistencë mjekësore të përparuar nëpërmjet telemjekësisë.

Në këtë mënyrë ndihma nuk mbaron me largimin e mjekut vizitor por është një prani e siguruar nga një marrëdhënie e vazhdueshme me ndihmën e teknologjisë.

Për këtë punë, Dr. Latifi u nderua me Çmimin e Doktorëve të Shquar (Doctors of Distinction), nga revista e njohur “Westchester County Business Journal” për kategorinë “Asnjë Tokë Nuk Është Shumë Larg”, si respekt të përpjekjeve të tij për ta çuar mjekësinë e përparuar në çdo anë të botës.

Dr. Latifi ka shpenzuar gati dy dekada në ndërtimin e një rrjeti telemjekësie në vende në zhvillim. Me anë të telemjekësisë, mjekët mund të vizitojnë pacientët nga distanca edhe në vende ku mungojnë specialistët apo mjetet në dispozicion janë të prapambetura. Pacientët po gjejnë zgjidhje dhe kurim nga largësia. Mjekët dhe punonjësit shëndetësorë në këto vende gjithashtu po edukohen e po specializohen nga distance duke ndryshuar kushtet e jetesës në zona ku ndryshe nuk do të kishte asnjë shpresë.

Mjeku i shquar nuk e ka harruar kurrë vendlindjen e tij. Madje, ndër vendet e para që kanë përfituar nga kjo punë dhe nga projekti i tij i famshëm i E-Spitalit Virtual Ndërkombëtar janë edhe Shqipëria e Kosova. Përveç Afrikës, Dr. Latifi po punon aktualisht për ta shtrirë programin në veri të Vietnamit. Projekte të ngjashme e kanë çuar në rajonin e Amazonës në Peru e Brazil, si dhe në Filipine.

Që prej janarit 2016, Dr. Latifi, jeton në Katonah dhe i është bashkuar Qendrës Mjekësore në Westcheste, një rajon ku banojnë shumë shqiptaro-amerikanë.